Kryetari i Bashkisë së Tiranës inspekton shërbimin e linjës së urbanit të Porcelanit

  • E premte, Shk 17 2017

Të privuar prej vitesh nga shërbimi i transportit urban, tashmë banorët e Linzës dhe zonës së Thesarit kanë mundësi që të udhëtojnë drejt qendrës së Tiranës, pa qenë nevoja të ndryshojnë autobus apo të marrin linja të tjera.

Bashkia e Tiranës ka realizuar një tjetër premtim, duke zgjatur linjën e Porcelanit deri te godina e Thesarit të Shtetit, çka u mundëson banorëve të kësaj lagjeje të re lëvizjen deri në qendër të Tiranës vetëm me anë të një linje. Në vazhdën e inspektimeve në terren të shërbimit të transportit publik në kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, udhëtoi me autobusët e kësaj linje, ku pa nga afër shërbimin e ofruar dhe u njoh me vlerësimin e qytetarëve, ndërsa theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur.“Jam shumë i kënaqur me linjën e Porcelanit, është një linjë që vetëm emrin në fakt e ka të Porcelanit, sepse itinerari në fakt është dy herë sa emri i linjës. Pra, itinerari jo vetëm kalon Porcelanin, Kinostudion, shkon deri në Linzë dhe gjithë zonë e Thesarit, zonën e Freskut, ku i shërben një lagjeje të re që deri dje trajtohej si një lagje e komunës, e Dajtit fshat. Sot në fakt, është një pjesë e qytetit, është urbanizuar jashtë mase, me pallate e banorë të rinj, që deri dje duhej të ndërronin stacionet ose të ecnin në këmbë deri në Kinostudio për të përfituar këtë shërbim. Nga sot e përfitojnë të plotë shërbimin, me abone dhe më vjen mirë sepse mbajtëm fjalën, ashtu siç premtuam, që autobusin do ta çojmë deri në Linzë dhe gjithë zona nga Teleferiku, te Thesari, Fresku shërbehet tani nga kjo linjë”, bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës.Veliaj shtoi se kjo linjë, përveç shtimit të stacioneve dhe zgjatjes së saj, ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së shërbimit dhe kjo falë shtimit të flotës me mjete të reja, ashtu edhe nëpërmjet shpeshtësisë së lëvizjes. Për të rritur edhe më tej cilësinë e shërbimit, por edhe për të respektuar kushtet dhe kërkesat e kontratës nga ana e operatorëve të transportit urban, Veliaj ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve për të sinjalizuar Bashkinë për çdo vonesë apo çdo problem tjetër që konstatojnë gjatë udhëtimit. Ai u shpreh se veç investimeve në automjete dhe teknologji për monitorimin online të linjave, po shihen edhe ndërhyrje të tjera për të zgjidhur probleme që vijnë për shkak të nyjeve të mbingarkuara apo edhe fashave të orareve. Enton Punavija, drejtor për Trafikun dhe Lëvizshmërinë në Bashkinë e Tiranës, u shpreh se në linjën e Porcelanit është shtuar edhe numri i mjeteve të vëna në shërbim të qytetarëve, si dhe një numër i madh qytetarësh të kësaj zone do të kenë tashmë edhe përfitime ekonomike duke u pajisur me abone. Për shkak të numrit të lartë të mjeteve private, Bashkia e Tiranës ka bërë edhe një skemë për ruajtjen e prioritetit të lëvizjes me anë të semaforëve, si dhe po planifikon mundësinë e ndërtimit të korsive të rezervuara aty ku ekziston mundësia.

Lexuar 23 here
Publikuar ne Aktualitet





Shperndaje Lajmin

Kush eshte online

We have 63 guests and no members online

SHKARKONI APLIKACIONIN MOBILE